Arabia Saudite: Gati të furnizojmë me raketa rebelët sirianë

19/02/2016 20:20

Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Adel al Jubeir synon të rifurnizojë grupet e moderuara të opozitës siriane me raketa tokë-ajër.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ai në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”, që do të publikohet të shtunën, por që ka nxjerrë një pjesë të saj.

“Këto raketa do t’i mundësojnë opozitës së moderuar që të rrëzojë helikopterë dhe avionë të regjimit”, ka deklaruar Al Jubeir.

Kriza në Siri sa vjen e thellohet, pavarësisht negociatave për paqen që po zhvillohen mes fuqive të mëdha dhe deklaratave për arritjen e marrëveshjeve për armëpushim.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan De Mistura ka deklaruar se, nuk do të ishte “realiste” që pozita dhe opozita siriane të ktheheshin në tryezën e bisedimeve më 25 shkurt në Gjenevë.

“Na duhen bisedime konkrete dhe jo vetëm bisedime për të folur. Tani, amerikanët dhe rusët duhet të ulen e të bien dakord për një plan konkret për ndalimin e akteve armiqësore”, ka deklaruar De Mistura.

Këtë deklaratë ai e ka bërë në një intervistë për gazetën suedeze “Svenska Dagbladet”. Bisedimet për paqen u ndërprenë më 3 shkurt dhe data për rifillimin e tyre është pikërisht 25 shkurti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA