Venezuela rriti për herë të parë në 20 vjet çmimin e naftës, edhe pse presidenti Nicolas Maduro këmbëngul se ai sërish do të jetë më i liri në botë.
Nga 0.01 dollarë për litër, kuotimi i arit të zi në vendin e pestë më të madh eksportues të globit do të shkojë në 0.60 dollarë litri. Nafta e cilësisë më të ulët do të rritet në gati 0.10 dollarë për litër.
Maduro ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera me qëllim lehtësimin e krizës së thellë ekonomike të vendit, një nga të cilat është zhvlerësimi i monedhës vendase, bolivarit.
“Venezuela ka naftën më të lirë në botë. Kostoja është thuajse asgjë. Megjithatë, rritja është një masë e nevojshme për të balancuar gjërat dhe unë marr përsipër çdo përgjegjësi”, tha Maduro në një intervistë televizive.
Rritja e çmimit të naftës pritet t’i kursejë vendit latin rreth 800 milionë dollarë në vit.
Pak ditë më parë, ministrat e naftës të Rusisë, Arabisë Saudite, Katarit dhe Venezuelës u takuan në Doha në përpjekje për të ringritur kuotimin e naftës në bursa. Ata arritën një marrëveshje për të ngrirë prodhimin e naftës në nivelet e muajit janar.
Top Channel