Shpërthimi në Ankara, ushtria turke bombardon pozicionet e PKK-së

18/02/2016 00:00

Shpërthimin vdekjeprurës të një dite më parë në Ankara, kryeministri turk Ahmet Davutoglu ia faturon paraushtarakëve të njësive mbrojtëse të popullit kurd, YPG me bazë në Siri.

Sipas kreut të ekzekutivit turk, për organizimin e sulmit luftëtarët e YPG-së kanë bashkëpunuar me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, të shpallur të jashtëligjshëm në Turqi. Një valë sulmesh u ndërmorën duket në shenjë hakmarrjeje ndaj forcave të PKK-së në veri të Irakut mbrëmjen e djeshme, që sipas raporteve në media shënjestruan gati 70 militantë. Mes të vrarëve, tha Davutoglu, ka dhe krerë të PKK-së.

Kryeministri sqaroi më tej se sulmi i Ankarasë ishte vepër e një kamikazi të identifikuar si Salih Necar, shtetas sirian dhe pjesëtar i YPG-së. Shpërthimi, nga sa pohon ai, u realizua me mbështetjen logjistike të militantëve të PKK-së që veprojnë brenda Turqisë.

Presidenti Rexhep Taip Erdogan u betua për hakmarrje pas shpërthimit të Ankarasë, ndërsa sulmin e dënoi ashpër dhe Amerika që tha se është në krah të aleates së NATO-s, duke e përshkruar Turqinë edhe si një partnere të saj të fuqishme. Disa prej viktimave të sulmit të ndodhur në një zonë shumë pranë Parlamentit dhe vendkomandës së Shtabit të ushtrisë, ishin civilë. Mbrëmjen e së mërkurës, një shpërthim i fortë dëmtoi ndërtesën që strehon një qendër kulturore turke pranë kryeqytetit të Suedisë, Stokholm, episod ky që nuk dihet megjithatë nëse ka lidhje me ngjarjen e Ankarasë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta