Regjistrimi i emigrantëve, miratohet ligji. Opozita dhe Dule kundër

18/02/2016 00:00

Seanca plenare e së enjtes, që u mbyll në orët e mbrëmjes, u shoqërua nga debate edhe sa i përket projektligjit për regjistrimin e adresave të emigrantëve.

Opozita e kundërshtoi, duke argumentuar se, mazhoranca po bën përpjekje për të kapur zgjedhjet e ardhshme dhe se, bie ndesh me Kodin aktual Zgjedhor.

Opozita kërkoi që projektligji të kalojë në komisionin e posaçëm parlamentar e të bëhet pjesë e reformës zgjedhore.

Qëndrimit të opozitës iu bashkua edhe ish-aleati i së majtës tashmë, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ai kërkoi që projektligji të tërhiqet, për shkak se cënon të drejtën e votës së emigrantëve, dhe të bëhet pjesë e reformës zgjedhore.

Por, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri siguroi se, nuk do të cënohet e drejta për të votuar e asnjë shqiptari, që jeton jashtë kufijve shqiptarë.

Ligji kaloi në fund të seancës me 72 vota pro, 27 kundër dhe 1 abstenim. Ndërkohë, me procedurë të përshpejtuar, Parlamenti miratoi edhe projektligjin, ku parashikohet ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së drejtorit të RTSH-së, propozuar nga deputeti Alfred Peza.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta