Rama: Rritje eficencës së administratës tatimore

18/02/2016 18:45

Një ditë pas largimit të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, kryeministri Edi Rama mbrojti politikën financiare duke folur për një rritje të konsiderueshme të të ardhurave falë riorganizimit të administratës tatimore.

Në takimin prezantues të projekteve në bashkëpunim me USAID-in, kryeministri tha se pavarësisht vështirësive të vitit të shkuar, kryesisht nga ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare, të ardhurat pësuan rritje.

“Riorganizimi i nisur ka sjellë një rritje të konsiderueshme të të ardhurave dhe faktikisht, nëse e marrim në vlerë absolute, vetëm në 9 mujorin e vitit të shkuar, që ishte një vit i vështirë për shkak të planifikimit të bërë me ambicie nisur me konjukturën e çmimit të naftës, patëm 34 mln euro më shumë në 2014 dhe 242 mln euro më shumë për 2012 dhe të mos harrojmë që trashëguam një borxh prej 740 mln dollarësh ndaj kompanive”, tha Rama.

Bashkëpunimi me USAID-in synon të përmirësojë administrimin tatimor duke adresuar aspektet që kanë nevojë për riorganizim dhe ristrukturim.

Rama thumboi me akuzat për atë që quhet koncesion të TVSH-së.

“Kur pashë shënimet që më ka bërë stafi, qesha, sepse ky program do të zbatohet nga një organizatë e themeluar me nismën e Presidentit të SHBA-ve, por në të njëjtën kohë është një partneritet publik-privat. Pra, edhe Presidenti amerikan e paska dhënë me koncesion këtë shërbim. Është një partneriteti publik-privat që ofron një asistencë të çmuar për të krijuar sisteme të shëndosha administrimi financiar në tregjet emergjente apo vendet në tranzicion. Nëse flasim për administratën tonë tatimore, jemi në tranzicion nga një fazë plot arbitraritet e korrupsion, drejt një faze ku duhet të mbizotërojë profesionalizmi dhe respekti ndaj sipërmarrjes”, tha ai.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta