Parku te Liqeni, Tabaku: Projekti, asnjë fazë ligjore; bashkia mohon akuzat

18/02/2016 00:00

Parku i lojërave tek Liqeni Artificial i Tiranës ka shkaktuar mjaft debate në kryeqytet. Deputetja demokrate Jorida Tabaku denoncoi projektin e bashkisë si të pakonsultuar.

Në një dalje për mediat, Tabaku tha se projekti nuk ka kaluar në asnjë fazë ligjore, duke prekur një zonë të mbrojtur me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit.

“Të vendosur të mos lejojmë këtë paligjshmëri. I pakonsultuar, për më tepër me një faturë 500 mijë eurosh, duhet patjetër që të kalojë në një analizë më të hollë, që të informohet publiku. I gjithë ky kënd lojrash shoqërohet me 3-4 objekte në shërbim të tyre. Ligji është i egër për ata pa leje, po jo për kryetarin e bashkisë që e shkel i pari atë. Parku i Liqenit nuk është oborri klientelist e privat i askujt, është pasuri e qytetarëve”, tha Tabaku.

Por Bashkia e Tiranës është përgjigjur duke sqaruar se nuk ka asnjë projekt ndërtimi për kafene apo restorant në atë zonë. Në njoftimin e bashkisë thuhet se, ata që e shkatërruan Tiranën për 4 vjet, duke dhënë leje ndërtimi për pallate 17-katëshe mu te diga e Parkut të Liqenit, e kanë të lehtë të baltosin sot ata që punojnë, duke u përpjekur të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës”.

“Qytetarët e Tiranës e kanë fare të qartë se kush e ka shkatërruar Parkun e Liqenit, duke lejuar ndërtimin e dhjetëra kafeneve dhe restoranteve rreth e rrotull parkut”, vijon njoftimi.

Ndërsa këshilltari i kryebashkiakut, Ditjon Baboçi ka shpjeguar për qytetarët projektin e këndit të lojrave. “Projekti nuk ka asnjë objekt tjetër, sic spekulohet cdo ditë. Nuk ka asnjë kafe, asnjë restorant, por është thjesht një kënd lojrash për fëmijë”, ka deklaruar Baboçi.

Një ditë më parë në emisionin “Top Show” kreu i bashkisë Erjon Veliaj u shpreh i vendosur në realizimin e projektit, duke e cilësuar kallëzimin e PD-së si një histeri.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta