
Ish-udhëheqësi i Solidarnostit, Lech Walesa, njeriu që udhëhoqi betejën e Polonisë për shkëputjen nga komunizmi, përballet sot me akuzën se ka qenë agjent i policisë sekrete të vendit.
Zëra, se fituesi i Nobelit të Paqes kishte punuar si informator i regjimit komunist, kanë qarkulluar prej vitesh, megjithatë, kurrë nuk ka pasur prova të forta, që të mbështesnin të tilla pretendime.
Por tani, në duart e hetuesve kanë rënë disa dokumente sekrete nga e veja e gjeneralit Czeslaw Kiszczak (Çeslav Kishçak), ish-ministër i Brendshëm, dhe një prej figurave kyçe që kërkuan shtypjen e Solidarnostit.
Kiszczak ndërroi jetë nga fundi i vitit të kaluar. Për arsye ende të paqarta, pas largimit nga posti, ai kishte marrë me vete një numër të madh dokumentesh të fshehta.
Instituti polak i Kujtesës Kombëtare, organi i ngarkuar me hetimin e krimeve të luftës dhe atyre të epokës komuniste, i ka marrë dokumentet mbrëmjen e së martës dhe konfirmon se, disa prej tyre lidhen me Bolekun.
Ky thuhet të ketë qenë emri i koduar i Walesës në kohën e komunizmit. Dokumentet ende nuk janë analizuar siç duhet, megjithatë, një nga punonjësit e institutit, profesori Antoni Dudek ka parë një dosje, që tregon se Boleku kishte vepruar 4 vite më gjatë nga sa mendohej fillimisht, në një kohë kur – sipas tij, – çregjistrimi zyrtar i Lech Walesës si informator është bërë në 1976-n.
Solidarnosti, e para lëvizje punëtore e pavarur e bllokut komunist, u krijua në 1980-n dhe njihet si organizata, që bëri të mundur përmbysjen e komunizmit në Europën Qendrore dhe Lindore.
Top Channel