Ashtu siç paralajmëroi edhe Basha një ditë më parë, të enjten në Kuvend, sulmi ndaj ministrit të propozuar të Financave, Arben Ahmetaj, erdhi me goditje të përqëndruar nga sulmuesi kryesor i opozitës.
“Ke udhëtuar 17 herë me ‘charter’, të kanë botuar udhëtimet e çdo gjë. Ku ka ‘charter’ zyrtar. Ju bëj thirrje juve, të dorëhiqeni menjëherë nga detyra që iu ka ngarkuar kryeministri. Të krijohet gjithashtu me urgjencë komision hetimor parlamentar për të vërtetuar të gjitha këto”, tha ish-kryeministri Sali Berisha.
I gjendur si portier, në mbrojtje të portës së qeverisë, Arben Ahmetaj replikoi duke thirrur në lojë arbitrin e ndeshjes.
“Çdo gjë, që ti mendon se unë kam hedhur një firmë në kundërshtim me ligjin, si ministër i Ekonomisë, që të ketë devijuar paratë publike apo të jetë në kundërshtim të hapur me ligjin, çoje në Prokurori. Të premtoj për kokë të vajzave të mia, do të jap dorëheqjen për një sekondë”, tha Arben Ahmetaj.
Gjatë kësaj seance, ish-ministri Cani, që u mbrojt nga opozita, nuk ishte i pranishëm. Megjithëse dekreti i shkarkimit nuk është votuar ende, duket se deputeti i Dibrës e ka marrë tashmë vendimin e tij.
Top Channel