Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për ndërtimin e Unazës së Vogël, një projekt më shumë se 25-vjeçar. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se do të ndiqen standardet më të larta me korsi të posaçme për biçikletat, mjetet e trasnportit publik dhe më shumë hapësira për këmbësorë.
“Nën shembullin e rrugës së parë që ne nisëm, Rrugës Dritan Hoxha, do të vazhdojmë në çdo investim të ri në Tiranë me të njëjtin pari; korsi të dedikuar për biçikletat, për autobusët dhe hapësirë e bollshme për këmbësorët që të kenë po aq prioritet sa ç’kanë makinat”, thotë kryebashkiaku Veliaj.
Ndërkohë, këshilltari për urbanistikën në Bashkinë e Tiranës, Ditjon Baboçi shpjegoi për Top Channel se projekti parashikon tre segmente dhe se punimet maksimalisht do të përfundojnë brenda 4 muajsh.
“Sot fillojmë me fazën e parë të punimeve, që nis nga Banka e Shqipërisë e deri tek Bulevardi Zogu i Parë. E gjithë rruga do të riasfaltohet. Faza e dytë është ajo prek hapësirën nga godina e INSIG-ut e deri tek Parlamenti i Shqipërisë . Faza e tretë është segmenti që lidh Bulevardin Zogu i Parë me Rrugën e Barrikadave”, thotë Ditjon Baboçi, këshilltar urbanistik në Bashkinë e Tiranës.
Pikërisht segmenti tretë nga Rruga Barrikadave në Bulevardin Zogu i Parë, përfshin edhe shpronësimet e disa shtëpive dhe godinave, të cilat përbëjnë dhe koston më të madhe të projektit.
“Ka një projekt shpronësimi për disa hapësira të vogla që shpronësohen në këtë pjesë, që nga godina e INSIG-ut e deri tek hapësira pas Hotel Tirana”, thotë ai.
Me përfundimin e punimeve në Unazën e Vogël, trafiku i mjeteve në qendër të Tiranës do të ndërpritet për t’u hapur rrugë punimeve në Sheshin Skënderbej.
Top Channel