Një ditë pasi shembën rrethimin e një zone në parkun e liqenit artificial, Partia Demokratike dorëzoi kallëzimin penal në prokurorinë e Tiranës për kreun e bashkisë, Erjon Veliaj.
“Do ta ndalojmë përsëri, sa herë të ketë shkelje ligji dhe në rast se insiston për ta prishur të vetmin park që i ka mbetur qytetit të Tiranës, atëherë qytetarët do ta nxjerrin nga zyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, deklaroi Ervin Salianji.
Padia ndaj Veliajt është e bazuar në 5 shkelje të ligjit, siç argumenton Partia Demokratike dhe zhvendos betejën për mosprekjen e parkut të liqenit midis politikës, duke sfumuar aksionin e shoqërisë civile të nisur për këtë çështje. Por, vetë kryetari i bashkisë mbron projektin që thotë se është marrë nga Holanda.
“Nuk kemi prerë asnjë pemë. Pemët që janë publikuar në foto janë prerë që në muajin dhjetor me procesverbal, pasi kështu ndodh për çdo pemë që ekspertët mendojnë se është e sëmurë. Pemët që do preken nga projekti nuk do të priten, por do të shkulen nga rrënjët, pra do të zhvendosen. Dhe ky proces nuk ka filluar ende. Materiali i përdorur do të jetë tartan. Ai park që do ndërtohet atje është identik me parkun në Holandë ku lozin fëmijët e kryetarit të opozitës”, ka thënë Veliaj.
Bashkia ndërkaq ka rifilluar punën për vazhdimin e projektit, që, siç shprehet Veliaj, është i pari nga 10 ndërhyrjet që bashkia parashikon të bëjë tek liqeni.
Top Channel