Idrizi, kritika Bushatit: Apatik qëndrimi për çështjen çame

17/02/2016 00:00

Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi e ka cilësuar apatik qëndrimin e shtetit shqiptar për Çamërinë, në seancën me dyer të mbyllura të Komisionit të Jashtëm për marrëdhëniet me Greqinë, ku i ftuar për të informuar ishte Sekretari i Përgjithshëm i dikasterit të diplomacisë, Qirjako Qirko.

Reagimi i kreut të PDIU, tashmë pjesë e koalicionit të majtë, kishte në fokus një konferencë shkencore për marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë, organizuar dy ditë më parë në ambientet e Ministrisë së Jashtme greke.

Referuar këtij aktiviteti, ku kanë referuar studiues e diplomatë grekë, mësohet se Idrizi është shprehur në komision Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme.

“Së pari, del qartazi se shteti grek jo vetëm e di që çështja çame është një çështje për t’u zgjidhur, por po merr të gjitha masat që të ketë argumentet ligjore dhe historike kundër saj. Mirëpo, kjo tregon se shteti shqiptar nuk është në lartësinë e duhur. Nuk ka asnjë konferencë shkencore, të organizuar nga ju për çështjen çame, për të krijuar një dosje të plotë dhe serioze me argument të forta juridike dhe historike përballë Greqisë. Së dyti, Ministria e Jashtme Greke, zyrtarisht përdor një term irredentist, Vorio Epirin”, ka thënë Idrizi.

Por, Ministria e Jashtme shqiptare e ka mohuar përdorimin e këtij termi gjatë konferencës, duke e konsideruar përparim faktin se pala greke ka nisur të njohë ekzistencën e ligjit të luftës, që deri dy vjet më parë konsiderohej tabu nga shteti fqinj. Burime pranë komisionit citojnë Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme:

“Edhe pse palët kane qëndrime te ndryshme lidhur me  trajtimin e saj, fakti që së fundmi edhe pala greke në ambientet e Ministrisë se Punëve te Jashtme diskuton për Çamërinë dëshmon më së miri se edhe për ta, nen ndikimin e drejtpërdrejtë te diplomacisë shqiptare, kjo çështje nuk është me tabu”.

Por, pavarësisht sqarimit të zyrtarit të lartë të Ministrisë së Jashtme, Idrizi i kontaktuar nga Top Channel deklaroi se do ta ngrejë këtë çështje edhe në Parlament, ku mundësinë për sqarim e ka ministri i Jashtëm.

Ndërkohë, nga burime diplomatike në Athinë, Top Channel ka mësuar se në debatet e diplomateve greke në këtë konferencë në Ministrinë e Jashtme greke, është cilësuar paradoks mbajtja e ligjit të luftës me Shqipërinë nga Greqia. Madje, me tone kritike e kanë cilësuar si  dëmtues të imazhit të vetë Greqisë.

Top Channel