Zyrat qendrore të Frontit Nacional në Francë janë bastisur këtë të mërkurë në kuadër të një hetimi të BE-së për shkelje financiare.
Shtëpia e themeluesit të FN, Jean Marie Le Pen dhe zyra e sekretarit të tij personal Gerald Gerin janë kontrolluar gjithashtu nga forcat policore.
Hetuesit synojnë të zbulojnë nëse partia ka përdorur fonde të BE-së, të caktuara ekskluzivisht për asistentët e deputetëve të Parlamentit Evropian në Strazburg, për të paguar rrogat e stafit.
Nga ana e tij, Fronti Nacional mohon çdo keqpërdorim. Përmes një deklarate, kjo parti ka dënuar bastisjet duke i cilësuar një “operacion politik”, të drejtuar nga presidenti Francois Hollande dhe kryeministri Manuel Valls për të “penguar dhe intimiduar” partinë.
Në dhjetor FN doli e treta në zgjedhjet rajonale, pasi kishte fituar 6 nga 13 rajonet në raundin e parë të votimit.
Dyshimet kanë të bëjnë me fondin për 20 punonjës të deputetëve të Frontit Nacional në Parlamentin Evropian, që rezulton të jenë shpenzuar për rrogat e partisë në muajin mars.
Hetuesit dyshojnë se Fronti i ka përfituar fondet përmes deklaratave të rreme se stafi i tij po punonte në Strazburg, raportojnë mediat franceze.
Në listën e stafit të paguar me fondet e BE-së rezulton veç sekretarit personal të Le Pen, Gerin, edhe eurodeputetja Marie Christine Arnautu, në Strazburg.
Top Channel