Një studim i 3 viteve më parë i Institutit Gjeologjik vlerësoi se lagjet Kërçyk dhe Xhami, fshati Bixëlle, Njësia Administrative Funar, Bashkia Elbasan janë të pabanueshme për shkak të rrëshkitjeve të tokës.
Në atë kohë u kërkua evakuim i menjëhershëm i 32 familjeve për shkak të rrezikut që paraqesnin banesat e tyre për shembje. Sot pas 3 vitesh duket se për këtë gjendje nuk kujtohet më askush.
“Ka sot e 3-4 vjet që ka ndodhur kjo ngjarje, ne nuk kemi asnjë lloj ndihme nga shteti. Ku të vemë? S’kemi asnjë lloj kondite që të ikim”, thotë një banor.
“Ka ardhur gjithë lagja këtu, i hoqëm plaçkat. U trondit shtëpia, u thyen xhamat, sikur po binte tërmeti vetëm këtu”, rrëfen një tjetër banore.
Bazuar në VKM nr.206 dt. 26.03.1998, “Për kriteret e pjesëmarrjes së shtetit në përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore…” Drejtoria e Emergjencave Civile ju drejtua me një shkresë Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Shtator 2014. Kjo e fundit ktheu përgjigje një vit e gjysëm më pas, në 20 Janar të këtij viti.
Dhe pavarësisht kësaj situate ku dhjetëra familje jetojnë çdo ditë me frikën se shtëpitë e tyre do t’u shemben mbi kokë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile kërkoi rishqyrtim të situatës dhe riplotësim të dosjeve.
Top Channel