Ahmetaj te Financat, Basha: Njeriu i aferave familjare të Ramës

17/02/2016 13:40

Në ndryshim nga emërime të mëparshme në kabinetin qeveritar, Lulzim Basha ka reaguar ashpër për emërimin e Arben Ahmetajt në krye të Ministrisë së Financave, duke e akuzuar atë si simbolin e korrupsionit në vend.

“Emërimi i  Arben Ahmetajt në postin e ministrit të Financave, një akt që ka  ngjallur indinjatë në mbarë opinionin publik për shkak të rekordeve që ka ky ministër si  i përfshirë në afera korruptive të njëpasnjëshme. Një akt që  ka shkaktuar ilaritet në shumë qarqe politike ndërkombëtare që merren me Shqipërinë. Ahmetaj i emëruar në postin e ministrit të Financave është një konfirmim se plaçkitja, mbushja e xhepave me paratë e shqiptarëve është standardi i artë i Edi Ramës”, tha Basha.

Lulzim Basha iu referua mediave për arsyet e shkarkimit të Shkëlqim Canit dhe kjo arsye, citoi kreu demokratëve , ka të bëjë me refuzimin e ish-ministrit Cani për të firmosur koncensionin e TVSH,  të cilin ai e ka marrë në mbrojtje.

“Emërimi i Ahmetajt, sipas rrjetit të gazetarëve investigativë të Ballkanit Perëndimor BIRN,  është  përshpejtuar për t’i hapur rrugë koncesionit të TVSH-së, koncesionit të vjedhjes tjetër të shekullit në Shqipëri në shifrat e  140 milionë eurove, që  Edi Rama synon  t’ia japë vëllait të tij  Olsit. Ish-ministri Shkëlqim Cani, sipas këtij raportimi, nuk ka pranuar ta firmosë këtë  koncesion të  padëgjuar, të turpshëm dhe antiligjor. Ka, sigurisht, te çdo zyrtar me një minimum integriteti një moment përgjegjësie kur konformizmi nuk mund të shtrihet  në akte antipopullore antikombëtare dhe korruptive, pavarësisht prej çmimit.  Ne besojmë se të tillë ka jo pak edhe në  radhët e kundërshtarëve tanë. Ne  besojmë se banda e Edi Ramës është më e zbuluar dhe më e  izoluar se kurrë”, deklaroi kreu i demokratëve.

Basha paralajmëroi një reagim të ashpër në Kuvend ndaj emërimit të Ahmetaj, emërim që e cilësoi karshillik për mesazhet e sekretarit Kerry dhe luftë që i hapet opozitës dhe shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA