25 vjet nga greva e urisë, PD përkujton nismën studentore

17/02/2016 00:00

Kur studentët hynë në grevë urie 25 vjet më parë, Partia Demokratike kishte 5 javë që ishte themeluar, por ata që tregojnë për grevën, e cila u finalizua me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt, thonë se ky ishte një akt guximi edhe më i madh sesa krijimi i një partie opozitare me diktaturën. Enver Hoxha ishte simboli.

“Të 720 thamë ‘ne nuk dalim të gjallë që këtej. Duam t’i heqim emrin Enver Hoxhës’. T’i hiqnim emrin Enver Hoxhës do të thoshte të shkulje diktaturën, sepse ishte një diktaturë e egër”, kujtoi Përparim Dervishi.

“Nëse njeriu ka motiv të fortë për të ndrequr diçka që nuk shkon mirë, asnjëherë nuk duhet pyetur dhe duhet guxuar. Këtë dua t’i them rinisë sot”, tha Rajmonda Bulku.

Kur busti ende nuk ishte rrëzuar, Universiteti i Tiranës, si shumë gjëra të tjera në Shqipëri, mbante emrin Enver Hoxha. Dhe asnjëherë më qartë sesa në këtë përvjetor opozitar, Sali Berisha nuk ka përkufizuar sfidën e opozitës 25 vjet më parë.

“De-Enverizimi ishte problemi më madhor i Partisë Demokratike. Pa de-Enverizimin, Partia Demokratike ishte një fasadë-opozitë. Ju them ju një gjë, që mund t’ju duket çudi sot. Në shkurtin e viti ‘91, i gjithëfuqishëm dhe i gjithëkugjetshëm i këtij vendi ishte Enver Hoxha, nga qendra e Tiranës në çdo skaj të territorit, por fatkeqësisht edhe në mentalitetin e shqiptarëve. Në këtë kontekst, gumëzhinte sigurisht mjedisi universitar dhe intelektual për këtë problem, por nisma nuk kishte. Dhe nga mesi i muajit janar unë i them Azem Hajdarit se, ne po nuk ndërmorëm de-Enverizimin ne nuk kemi të ardhme si opozitë dhe çdo ditë dhe më shumë ne dukemi para botës dhe shqiptarëve si një fasadë-opozitë, pasi çdo mëngjes dhe çdo darkë që ne kalojmë përbri shtatores së diktatorit, ai tallet me ne”, tha Berisha.

Lulzim Basha, i cili ua la skenën protagonistëve të 25 viteve më parë, kishte vetëm një mesazh për të rinjtë e sotëm.

“Uroj që ky panel të bëjë një përpjekje për t’u relatuar ju të rinjve domethënien e vërtetë të grevës së urisë dhe vlerën e madhe të guximit që sot, përsëri pas 25 vitesh koha dhe sfidat e Shqipërisë europiane siç e duam ne po e thërrasin përsëri në skenë e unë jam i sigurt që rinia shqiptare përsëri nuk do të zhgënjejë por do të ngrihet për lirinë dhe demokracinë”, tha Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta