Rama mbron të sulmuarit Beqja dhe Tahiri

16/02/2016 17:50

Sa herë që ka ndryshime në qeveri pyetja është: kur dhe kush ministër do ta ketë radhën? Të martën pasdite në Kavajë, kryeministri Edi Rama nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje, por ama bëri të qartë se kush nga ministrat nuk do të lëvizë dhe pse.

“Ilir Beqja dhe Saimir Tahiri janë sot ministrat më të sulmuar sepse kanë prekur interesa. Të ulësh 30% çmimet e ilaçeve për popullin dhe t’i kursesh popullit 70 milionë dollarë do të thotë që ato 70 milionë dollarë t’i ndalosh që të shkojnë diku tjetër. Sulmojnë, godasin dhe përbaltin figurën që përfaqëson këtë betejë në këtë sektor.
Në Shqipëri ka më në fund një polici të shtetit që i shërben qytetarëve. Janë goditur interesa kriminale që deri dje kishin gjetur mbrojtje dhe mbështetje”, u shpreh Rama.

Dekriminalizimi si proces politik ka vënë në shënjestër të opozitës kryetarin e Bashkisë së Kavajës. Duke huazuar një situatë të ngjashme në Itali, mes kryeministrit Renzi dhe një prej kandidatëve të tij kryesorë në zgjedhjet lokale, guvernatori i Kampanjës Vincenzo de Luca, i cili fitoi në kohën që ishte i pandehur, Rama nënvizoi se nëse sot Roshi është në politikë, përgjegjësia ishte e qytetarëve që e kishin zgjedhur.

“Ata që në 8 vite thonin mos votoni Ramën e Roshin, këtij i thonin se ishte kriminel për atë punë, se po i votuat këta, shtëpitë do jua prishin, bënë vetëm 21 mijë legalizime. Ne, në 1 vit e gjysmë, bëmë 42 mijë legalizime”, tha Rama.

Kerry iku, emri mbetet; PD-PS sulmojnë njëra-tjetrën me emrin e Sekretarit të Shtetit

John Kerry ka ikur, por përdorimi i tij në diskutimin politik vazhdon. Lulzim Basha e përmendi Sekretarin e Shtetit kur denoncoi këtë shfaqje të kryeministrit përkrah Roshit dhe kërkoi zbatim të menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit.

“Edi Rama krah për krah me Roshin e Kavajës, një nga subjektet kryesore të dekriminalizimit, duke sfiduar ndërkombëtarët dhe ligjin e miratuar. Pas vizitës dhe mesazheve të sekretarit Kerry, po i jep gajret një nga një personave me rekorde kriminale të promovuar prej tij që t’i përdorë përsëri. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit do të mbyllë çdo penxhere dhe vrimë për ta dhe shefin e tyre”, shkroi Basha në Facebook.

Më herët, demokratët e përmenden sërish John Kerry-n kur publikuan foto ku shfaqej Mimi Kodheli krahë ish-deputetit socialist të dorëhequr, Arben Ndoka.

“Është e qartë: Edi Rama ka zgjedhur Arben Ndokën dhe jo sekretarin Kerry; ka zgjedhur krimin dhe jo partnerët ndërkombëtarë“, tha Alibeaj.

Por edhe Mimi Kodheli përdori sërish John Kerry-n kur iu përgjigj PD-së për fotot me Ndokën: “Qesharake deklarata e dëshpëruar e Partisë Demokratike. Opozitën sot e shqetëson suksesi i vizitës së sekretarit Kerry dhe mbështetja e fortë që i dha qeverisë shqiptare dhe drejtimit të duhur të vendit. Dëshpërimi prej suksesit të vizitës së sekretarit Kerry e ka çuar deri aty PD-në sa të lidhë inspektimin e një ure më shumë se një muaj më parë me mesazhet e rëndësishme të kësaj vizite historike“.

Si pas çdo vizite të tillë, përdorimi politik i saj nga të dyja palët do të vazhdojë, me gjasë, së paku deri të enjten në punimet e Kuvendit. E njëjta shfaqje, por ndryshon vetëm emri i “viktimës”. Ky i radhës quhet John Kerry.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA