Për Ben Blushin, kritik i qeverisjes së Edi Ramës, ndryshimi i ministrave është një akt i vonuar. Sipas tij, gjendja ekonomike do të ndryshojë vetëm nga ndryshimi i mentalitetit të kësaj qeverie dhe aspak nga ndryshimi i emrave.
“Duhet të ketë ndryshime të metodës qeverisëse, nuk është çështja te njerëzit, por te metoda. Jam i bindur që ka shumë njerëz brenda PS-së, që nëse orientohen siç duhet, edhe këta ministra që janë apo që po ikin, sepse s’kam asgjë me ta, do të ecin pak më shpejt me një makinë tjetër, sepse kjo makinë e qeverisë është shumë e ngathët. Nëse i konsideron edhe ministrat e politikat e veta si lodra që ndërrohen, unë jam një njeri serioz dhe flas për politikat”, tha Blushi.
Si gjithmonë kohët e fundit, përgjigjja nga Partia Socialiste Blushit i vjen nga i njëjti emër.
“Kur flet për ekonominë, e bën njësoj si Saliu. Nuk shkon prej dy vitesh e gjysmë në zonën e tij zgjedhore, të takojë zgjedhësit. Sigurisht mund të kesh edhe këto lloj shifrash”, thotë Taulant Balla.
Balla, që foli në emër të PS-së, nuk iu përgjigj pyetjes për arsyet e shkarkimit të Canit. Ai vetëm sa theksoi sfidat e ministrit Ahmetaj në krye të Financave shqiptare. Kjo ishte përgjigje edhe për Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, që ministrin e ri të Financave e përkufizoi me një shprehje të Nolit.
“Impulse të reja, ku Halim që s’di këndim bëhet ministër për arsim”, është shprehur Ristani.
“Iu la nga qeveria e vjetër një borxh i fshehur prej 720 milionë dollarësh. Falënderojmë Shkëlqim Canin për të gjithë punën e bërë. I uroj shumë sukses ministrit të ri të Financave”, deklaroi Balla.
Top Channel