Berat, tentativa e dëshpëruar për t’u vetëflijuar

16/02/2016 00:00

Një 60-vjeçare nga qyteti i Beratit ka tentuar t’i japë fund jetës duke i vënë flakën vetes, pasi ishte lyer me benzinë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Mangalem”, ku Adriana Kalldrëmxhiu jetonte e vetme.

Mësohet se, në kushte të rënda depresive, gruaja ka lyer veten me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën. Britmat e saj janë dëgjuar nga fqinjët, që kanë njoftuar policinë dhe më pas zjarrfikësen, kur kanë parë se nga banesa e saj po dilte tym e flakë.

Fqinjët pohojnë se Adriana është një grua fatkeqe. 60-vjeçarja jetonte te banesa e prindërve, duke ardhur çdo ditë nga Fieri, ku edhe punonte. Banorët thonë se, dalja në pension pak muaj më parë ia vështirësoi edhe më shumë gjendjen shëndetësore. Sipas tyre e moshuara jetonte vetëm dhe ishte tepër e mbyllur. Shkak për këtë mendohet të jetë edhe divorci.

Sipas mjekëve, gruaja ka pësuar djegie të shkallës së tretë në të gjithë trupin dhe gjendja e saj është e rëndë. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se, gruaja ka rënë në depresion për shkak se jetonte e vetme prej vitesh në banesë.

Ajo ka qenë bashkëshortja e aktorit të humorit, Përparim Gjika, por prej vitesh ata ishin divorcuar dhe ajo është braktisur nga ky i fundit vite më parë, ndërsa fëmijët nuk jetonin me të.

Pas ndihmës së parë të marrë në Spitalin Rajonal të Beratit, Adriana Kalldrëmxhiu është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Top Channel