BE, monitorim reformës. Projektrezoluta për Shqipërinë, në PE

16/02/2016 00:00

Raportuesi Knut Fleckenstein prezantoi projektrezolutën për Shqipërinë para Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili bazohet në raportin e fundit të Komisionit. Në hapje të seancës, zëvendëspresidenti i socialdemokratëve u çmua për raportin nga i djathti Elmar Brok, i cili kishte takuar, në cilësinë e drejtuesit të këtij Komiteti, edhe ministrin Bushati.

“Ky është raporti më pozitiv i viteve të fundit për Shqipërinë, nisur nga progresi i qartë” në vend, – tha Fleckenstein, – pavarësisht “disa çështjeve që mbeten për t’u zgjidhur”.

Siç pritej, ai propozoi menjëherë amendamentin për t’i kërkuar Komisionit Europian dërgimin e një misioni vëzhgues në Tiranë për të ndjekur procesin e miratimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi, duke argumentuar se, përtej vullnetit “partitë kryesore politike shqiptare kanë mendime të ndryshme për arritjen e këtij qëllimi”, siç rezultoi nga vizita e fundit në Shqipëri.

Në mungesë të Eduard Kukan, Cristian Preda dha përkrahjen e PPE-së për këtë amendament, por theksoi rolin udhëheqës të Komisionit të Venecias për reformën e drejtësisë.

Cristian Preda, PPE: Zoti Kukan pajtohet për të permendur Komisionin e Venecias, si udhërrëfyes mbi reformën e drejtësisë. Ka dhe një konsensus të gjerë mes drejtuesëve të partive politike shqiptare, për të ndjekur këto rekomandime. Zoti Kukan pajtohet gjithashtu me idenë e kërkesës për një mekanizëm të fortë për të monitoruar zbatimin e reformës në drejtësi.

Ngjashëm folën dhe grupet e tjera politike për reformën në drejtësi, si dhe përfaqësuesi i Komisionit Europian, ndërsa përmendën edhe pika të tjera të raportit, si reforma zgjedhore, zbatimi i ligjit për dekriminalizimin, ndjekja e reformës në administratën publike, ekonomia informale dhe punësimi i të rinjëve, liria e medias e korrupsioni.

Ilhan Kyuchyuk, eurodeputet liberal: Raporti i thekson qartësisht sfidat me të cilat përballet Shqipëria, si dhe hapat pozitivë të ndërmarrë nga qeveria për trajtimin e tyre. Megjithatë, korrupsioni mbetet i gjithëpërhapur, sidomos në Gjyqësor dhe Administratën Publike, ndaj dhe qeveria duhet ta përmirësojë luftën ndaj këtij fenomeni.

Si zakonisht, seancës nuk i munguan qëndrimet kritike të eurodeputetëve grekë mbi shkeljen e të drejtave të minoritetit në Shqipëri, por në mungesë të fakteve, raportuesi Fleckenstein u përgjigj se nuk do t’i marrë parasysh.

“Shqipëria dhe Bosnja janë dy vendet e fundit të zgjerimit, raportet e të cilave nisën njëkohësisht shqyrtimin nga Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian, në të njëjtën ditë që eurodeputetët e këtij komiteti përfunduan votimin për projektrezolutat e Turqisë, Malit të Zi e Maqedonisë, të cilat pritet të miratohen në seancën plenare të marsit, ndërkohë që ato për Serbinë dhe Kosovën kaluan në fillim të këtij muaji, ndërsa rezolutat për Shqipërinë dhe Bosnjën pritet të votohen gjatë sesionit të prillit nga Parlamenti Europian”.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel