Alibeaj: Kodheli, me Arben Ndokën. Rama injoron SHBA

16/02/2016 13:00

Partia Demokratike ka përsëritur këtë të martë akuzat ndaj qeverisë për lidhje me elementë të inkriminuar, pavarësisht angazhimeve që mori para sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj ka shigjetuar në veçanti ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.

“Mimi Kodheli pati rastin të takohej me sekretarin amerikan të Shtetit, Kerry, i cili theksoi si sukses ligjin e dekriminalizimit. Dy ditë më pas, ministrja e Edi Ramës shfaqet me Arben Ndokën, që është objekt i dekriminalizimit, një nga arsyet pse kjo nismë e opozitës, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, u bë ligj”, ka thënë Alibeaj.

Ai ka treguar edhe një foto të ministres së Mbrojtjes me ish-deputetin Ndoka, të cilit, sipas tij, kryeministri i ka besuar qeverisjen e Lezhës.

“Jo vetëm kaq, por PS-ja e Lezhës tha dje se Ndoka është krenaria e saj. Dy ditë pas vizitës së Kerrit, Edi Rama vazhdon të sfidojë mesazhin e tij, kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të miqve ndërkombëtarë dhe kërkesën e qytetarëve të vendit për pastrimin e politikës nga krimi”, ka thënë Alibeaj.

“Dy ditë më parë, Ndoka prezantoi prefektin e Lezhës. Dje, ai u shfaq me ministren e Mbrojtjes. Pra është e qartë. Edi Rama ka zgjedhur Arben Ndokën dhe jo sekretarin Kerry. Ka zgjedhur krimin dhe jo partnerët ndërkombëtarë. Ka zgjedhur trafikantët, banditët, dhe jo qytetarët”, ka shtuar ish-ministri i Drejtësisë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA