Peleshi, takim me të rinjtë e Korçës: PS, në kërkim të vlerave

15/02/2016 14:30

Këtë fundjavë, zëvendëskryeministri Niko Peleshi zhvilloi një takim me të rinjtë që sapo i janë bashkuar Partisë Socialiste në qytetin e Korçës.

Rritja e numrit të anëtarëve dhe rifreskimi nëpërmjet të rinjve janë disa nga qëllimet e kësaj fushate, e cila ka nisur që prej shtatorit të kaluar dhe pritet të kulmojë me kongresin e 19 marsit.

Gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë, Peleshi theksoi rëndësinë e angazhimit të tyre në formacione politike, si një mënyrë e drejtpërdrejtë për t’i dhënë zë ideve dhe projekteve të tyre.

“Këto organizime janë mjete për ta kthyer idene që keni në një vendim, në një vendim politik të bashkisë apo të qeverisë qëndrore. Duke u kthyer në vendim, ideja jote materializohet dhe bëhet shkas dhe premisë për një jetë më të mirë të komunitetit”, tha Peleshi.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri ftoi të gjithë të rinjtë që besojnë se mund të jenë një vlerë e shtuar për komunitetin që t’i bashkohen Partisë Socialiste.

“Në qoftë se mendoni se vleni më tepër sesa vetja dhe keni dëshirë dhe vullnet të kontribuoni për komunitetin, Partia Socialiste është mjeti”, shtoi Peleshi.

Top Channel