Orikum, banorët protestojnë kundër vjedhjes së pronave

15/02/2016 12:35

Banorë të Orikumit dhe Rradhimës, së bashku me një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të kësaj partie protestuan këtë të hënë duke bllokuar rrugën nacionale në aksin Vlorë-Orikum.

Qëllimi i protestës së tyre ishte, siç thanë banorët, kundër vjedhjes së pronave, por edhe kundër projekteve për ndërtimin e një impianti të madh për rritjen e peshkut në gjirin e Vlorës.

Përfaqësuesi i PD, Jamarbër Malltezi ka kundërshtuar projektin në fjalë, që parashikon ndërtimin e disa vaskave të rritjes së peshkut në gjirin e Karaburunit, pasi kështu do të rrezikohet parku detar Karaburun-Sazan dhe do të dëmtohet turizmi i Vlorës.

Banorët kanë protestuar edhe për projektet e ndërtimit në tokat e tyre, për të cilat thonë se nuk janë pyetur. Në këtë zonë vazhdimisht ka patur protesta.

Në nëntor të vitit 2010, banorët e Dukatit u përleshën me policinë kur Ministria e Energjitikës së asaj kohe kishte në plan ndërtimin e një parku për prodhimin e energjisë elektrike nga era në Karaburou.

Por, edhe në vitin 2012, kur për ndërtimin e një parku me pallate, shumë banorëve të Orikumit nuk iu njoh pronësia e tokës.

Top Channel