
Një operacion i finalizuar me sukses nga forcat e Policisë së Elbasanit, i koduar “Zaranika”, ka çuar në arrestimin e dy personave gjatë pasdites së kësaj të hëne, të dyshuar për “trafikim armësh dhe municionesh” dhe “prodhim e shitje të narkotikëve”.
Gjatë operacionit të bluve të Elbasanit janë sekuestruar edhe municione luftarake, drogë dhe një sasi lekësh por edhe valute.
Të arrestuarit në flagrancë janë identifikuar si Ferit Haxhihyseni, 36 vjeç, dhe Astrit Koshi, 43 vjeç, të dy banues në Elbasan, të cilëve iu sekuestruan 65.400 lekë, 500 euro dhe 1000 dinarë gjatë kontrollit fizik, ndërkohë që pas ushtrimit të kontrolleve nga efektivët e policisë në banesat e tyre janë gjetur dhe sekuestruar:
– 2500 copë fishekë pistolete,
– 1000 copë fishekë automatiku,
– 13 granata dore ofensive,
– 17 granata dore difensive,
– 30 copë ndezës metalikë,
– 3 krëhëra automatiku kallashnikov dhe
– 1 kg cannabis sattiva.
Materialet hetimore ndaj tyre i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ndërkohë që shtetasit e mësipërm akuzohen për veprat penale të “trafikimit të armëve dhe municioneve”, “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”, si dhe “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Top Channel