“Fiks Fare”, gjykata kundërshton vetveten, shfuqizon gjobën e AMA-s

15/02/2016 00:00

Në maj të vitit 2015 në subjektin “Saranda Kabëll” është bërë një kontroll nga Autoriteti i Mediave Audiovizive. Ky grup inspektimi ishte i përbërë nga pesë inspektorë.

Gjatë kontrollit u konstatua se ky televizion po transmetonte programe që nuk kishte asnjë kontratë apo marrëveshje efektive me mbajtësit e të drejtave të programeve. Ky akt, sipas ligjit për mediat audiovizive në Shqipëri, përbën kundërvajtje administrative dhe ndëshkohet me gjobë.

Ndaj në muajin korrik ky subjekt u ndëshkua me gjobë ne vlerën e 1 milion lekëve, por kjo gjobë u ankimua nga subjekti pranë Autoritetit të Medias Audiovizive. Ky i fundit në mbledhjen e datës 26 tetor 2015 vendosi të lërë në fuqi sanksionin gjobë ndaj subjektit “Saranda Kabëll”.

Në këto kushte subjekti ngriti një padi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Administrative Gjirokastër. Kjo e fundit e mori në shqyrtim dhe me datë 18 janar 2016 vendosi shfuqizimin e aktit administrativ për vënie gjobe për subjektin “Saranda Kabëll”.

“Fiks Fare” intervistoi drejtorin juridik të AMA-s, Enkelejd Lamajn, për të cilin ky vendim gjykate është marrë i pabazuar në fakte, madje i ka anashkaluar ato.

Enkelejd Lamaj, drejtor juridik, AMA: Subjekti i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër e cila çuditërisht me një vendim paksa absurd ka vendosur për shfuqizimin e gjobës së inspektorëve. Gjykata është në kontradiktë me veten e saj sepse në fillim thotë që “në seancë gjyqësore u provua se grupi i inspektorëve të AMA-s ka kryer një inspektim në këtë subjekt në filan datë”, kurse në fund të arsyetimit ku ka vendosur shfuqizimin e vendimit përsëri thotë që “pala e paditur, pra AMA, nuk ka mundur të vërtetojë që ka kryer një kontroll apo të ketë mbajtur procesverbalet përkatëse pranë subjektit”.

Fiksi: Ndërkohë ju i keni procesverbalet?

Enkelejd Lamaj: Sigurisht i kemi ne, i ka subjekti. Subjekti ka firmosur sepse ka qenë prezent në momentin e kontrollit. Nuk ka asnjë bazë ligjore për marrjen në shqyrtim të kësaj kërkese, megjithatë përsëri gjykata ka vendosur kështu. Ne i kemi përgatitur ankimin administrativ që do ta dërgojmë brenda këtyre ditëve sepse jemi brenda afatit. Kjo nuk ka mbaruar sepse është vetëm në Shkallën e Parë.

Le të marrim me radhë arsyetimet e dhëna nga gjykatësi gjatë marrjes së këtij vendimi.

1. Në Seancën gjyqësore pala e paditur Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk paraqiti prova që të provojnë shkeljet ligjore të konstatuara nga ana e tyre.

2. Në të njëjtën kohë gjatë shqyrtimit gjyqësor të këtij vendimi pala e paditur ka qenë në mungesë.

3. Në seancë gjyqësore nuk u provua fakti se nga grupi i inspektimit është mbajtur procesverbal i inspektimit dhe procesverbali i prezencës.

Ndërkohë që të dyja këto procesverbale janë firmosur nga pesë inspektorët dhe nga një përfaqësues i këtij subjekti i cili ndodhej në momentin e inspektimit, zoti Rajmond Avdulla.

Top Channel ka pamjet që në muajin maj të vitit të kaluar ku inspektorët bëjnë inspektimin pranë këtij subjekti, por në fund të vendimit thuhet se “pala e paditur nuk provoi se grup i inspektorëve të AMA-s me datë 13.05.2015 ka kryer kontrollin e veprimtarisë programore të subjektit ‘TV Saranda Kabëll’ dhe nuk u provua se ka mbajtur procesverbal inspektimi dhe se ky procesverbal i është vënë në dispozicion shkelësit, paditësit”.

Si përfundim, është për t’u theksuar fakti se gjatë arsyetimit të këtij vendimi gjykatësi ka kundërshtuar veten. Në fillim ai e ka pranuar faktin se në bazë të provave vërtetohet që kontrolli është ushtruar nga inspektorët e AMA-s, ndërsa më pas në përfundim të arsyetimit ky fakt është hedhur poshtë duke pretenduar se pala e paditur nuk e ka vërtetuar këtë kontroll.

Top Channel