Sekuestrohet një gomone në lumin e Vjosës, dyshohet se përdorej për trafik

14/02/2016 00:00

Një gomone me dy motorë të fuqishëm është kapur në lumin e Vjosës, pranë fshatit Bishan, në një operacion të përbashkët të Delta Forcës dhe Policisë Kufitare të Vlorë gjatë ditës së diel.

Burime nga policia e Vlorës kanë bërë të ditur se gomonia, me gjatësi rreth 9 metra dhe 3 metra gjerësi, dyshohet se përdorej për trafik të lëndëve narkotike.

Shërbimet e Policisë po kryejnë hetimet për zbulimin e rrethanave në lidhje me këtë mjet lundrues dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, megjithëse gjatë kontrollit të ushtruar në këtë mjet lundrues nuk janë konstatuar sende apo materiale të kundraligjshme.

Gjithashtu mësohet se operacioni është ende duke vazhduar në zonat Novoselë, Bishan dhe Hoxharë, ku po marrin pjesë një numër i madh forcash policore. 

Top Channel