Rama shpërndan çertifikatat e legalizimeve në Zharrëz: Proces pa dallime politike

13/02/2016 17:15

Kryeministri Edi Rama u ka shpërndarë këtë të shtunë çertifikatat e pronësisë banorëve të Zharrës, duke premtuar se ky proces do të vazhdojë pa bërë dallime politike të majtë apo të djathtë.

“Sot merr fund pritja e gjatë e juaja dhe e të tjerëve që nuk i mbante dot salla, për të marrë lejen e legalizimit. Ne vendosëm që të shfrytëzojmë këtë moment, për të mos vonuar më tutje një proces për të gjithë të tjerët, pavarësisht nëse janë socialistë, demokratë, pa parti. Ne e kemi treguar që ditën e parë dhe do të vazhdojmë ta tregojmë përditë se në procesin e legalizimit dhe në çdo proces tjetër, që drejtohet dhe është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, ne nuk bëjmë dallime në tanët dhe të atyre. Të gjithë shqiptarët që jetojnë dhe banojnë në këtë vend kanë të drejta të barabarta dhe duhet të shërbehen në mënyrë të barabartë”, ka deklaruar Rama.

Ai ka shprehur keqardhjen që në këtë zonë, “në tetë vjet të qeverisë së vjetër u dhanë vetëm 234 leje” dhe fatkeqësia edhe më e madhe, sipas tij, “është që në këto 234 leje, pjesa dërrmuese nuk ishin shtëpi, por ishin godina ekonomike, siç u bë pjesa dërrmuese e 21 mijë lejeve të legalizimit që dha gjithësej në tetë vjet Partia Demokratike”.

“Ndërkohë që në vetëm një vit punë intensive me legalizimet, ne kemi bërë deri tani 42 mijë dhe pjesa dërmuese, mos them 100%, janë shtëpi”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ky ndryshim është në sytë e të gjithëve. “Mua më vjen mirë edhe për një gjë tjetër, që në fakt është për të ardhur keq, por dua ta them sinqerisht; më vjen shumë mirë që Partia Demokratike, qeveria e vjetër vetëdiskretitohet çdo ditë, duke i trajtuar shqiptarët si të ishin budallenj apo dele. Ndërkohë që ata flasin për legalizimet që nuk po bëhen, janë 42 mijë familje që sot i kanë lejet e legalizimit në dorë dhe hap pas hapi po marrin tapitë në hipotekë. Janë dhjetëra mijëra të tjera që do të vazhdojnë t’i marrin gjatë këtij viti dhe këta janë njerëz që shohin dhe dëgjojnë”, ka shtuar Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA