NBA, fitojnë Oklahoma dhe Milwaukee (Video)

12/02/2016 13:40

Oklahoma City Thunder fitoi ndeshjen e saj të radhës në kampionatin e NBA. Skuadra e Durant dhe Westbrook mposhti New Orleans Pelicans 121-95, sukses të cilin ia dedikuan zv/trajnerit Monti Williams, të shokuar nga vdekja e bashkëshortes së tij. Në “Chesapeake Energy Arena” u mbajt edhe 1 minutë heshtje në fillim të kësaj sfide, që u dominua nga skuadra e Oklahomës.

Kevin Durant dhe Russel Westbrook ishin në një ditë të shkëlqyer. Të dy këta basketbollistë shënuan nga 23 pikë secili për t’i dhënë këtë fitore Oklahomës, për të cilën ky ishte suksesi i 40 sezonal. Për New Orleans, Anthony Davis shënoi 23 pikë, por që shërbyen më shumë për pasurimin e statistikave të tij personale.

Nuk ka shumë histori për të treguar në ndeshjen tjetër të NBA mes Milwaukee dhe Washington, që janë 2 skuadra pa shumë pretendime. Në “Harry Bradley Center” Bucks fitoi 99-92, duke shënuar fitoren e 23 sezonale. Më i miri në parket për këtë ndeshje ishte Chris Middleton, autor i 27 pikëve, 6 topave në tabelë e 9 asisteve. Dha kontributin e tij në këtë fitore edhe basketbollisti grek Antetonkumpo, me 17 pikë dhe 13 topa në tabelë.

Kampionati i NBA do të ndërpritet këtë fundjavë pasi e gjithë vëmendja do të përqendrohet në Toronto, ku do të zhvillohet sfida e përvitshme “All Star Game”, ku përballë do të vihen yjet e Konferencës së Perëndimit me ata të Konferencës së Lindjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA