Kontrolli shëndetësor, Rama: Partneriteti me privatët, zgjedhja e duhur

12/02/2016 00:00

Krizë dhe degradim i shërbimit, ky është konstatimi i opozitës për gjendjen e Maternitetit të Korçës. Deputetët e opozitës thonë se, pajisjet janë tejet të amortizuara, mungesa e ilaçeve është e theksuar, ndërsa nënat e reja me foshnjet janë në rrezik për marrjen e infeksioneve të ndryshme.

E ndërsa deputetët e Korçës denonconin këtë situatë, kryeministri Rama ndiqte në Tiranë procesin përfundimtar të “Check up”-it. Ministri Beqaj thotë se, ky është një investim prej 3.2 milionë eurosh, përfshi edhe për burimet njerëzore.

“Kam studiuar për bioinformatikë në Nju Jork. Punoj me ‘check-up’-in që prej një viti, që ditën e parë që ka filluar. Luaj rolin e koordinatores së laboratorit”, tha një prej punonjëseve të tij.

“Kam studiuar në Nju Jork për teknologji mjekësore. Kam bërë dhe menaxhim shëndetësor këtu në Shqipëri. Jam supervizore administrative e laboratorit”, tha një tjetër punonjëse e stafit.

Kryeministri mbrojti dhe një herë këtë koncesion, aq shpesh të kundërshtuar nga opozita. Por sipas tij, ajo çfarë kishte parë me sy i kalonte edhe pritshmëritë e tij.

“Edhe unë, që e kam mbrojtur këtë partneritet publik-privat dhe këtë proces, kam qenë krejtësisht i paditur lidhur me cilësinë e jashtëzakonshme të stafit. Jam i mrekulluar nga teknologjia, nga i gjithë serioziteti dhe siguria e procesit. Këtë investim mund ta bënte vetëm partneriteti me privatin. Nuk e bënte dot shteti këtë lloj investimi dhe nuk e garantonte dot shteti këtë lloj cilësie”, tha Rama.

Top Channel