Klosi: Ndërmarrje sociale për shtresat në nevojë

12/02/2016 00:00

Punësimi në vend, sipas qeverisë, cenohet edhe nga mungesa e kualifikimit profesional të atyre që kërkojnë një vend të lirë dhe sipas shifrave të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, mijëra vende të lira pune janë të paarritshme nga qytetarët pikërisht për këtë arsye.

Së fundmi, Ministria e Mirëqenies Sociale po diskuton projektligjin për “ndërmarrjet sociale”, i cili synon të ndihmojë në punësim kryesisht kategoritë sociale në nevojë.

“Shqipëria ka punë. Shqipëria ka nevojë për profesionistë. Ata që nuk pranojnë ofertën e punës nuk kanë më pse të jenë pjesë e skemës sociale. Ata që nuk pranojnë të shkojnë në shkolla të formimit profesional, që kanë një mundësi, për të marrë një kualifikim nuk kanë pse të jenë në tregun e punës. Ndihmën ekonomike dhe një pagesë shtesë ta marrin nëpërmjet punës së tyre të denjë”, shprehet ministri Klosi.

Një ligj i tillë nisi të shqyrtohej që në kohën e ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera dhe nuk u zhvillua më tej.

Stimulimi financiar i tij do të bëhet me fonde të qeverisë, ndërsa ndër aktorët kryesorë do të jenë edhe OJQ që do të mundësojnë ngritjen e aktiviteteve të ndryshme, ku të gjithë ata që do të kenë përfunduar kualifikimet profesionale të kenë mundësi të punojnë.

Top Channel