Viti 2016 konsiderohet si i duhuri për Ferrarin për t’iu afruar Mercedesit në luftën për titullin kampion të Formulës 1. Kur kanë mbetur edhe pak javë nga starti i sezonit të ri, presidenti Marchionne ka bërë një përmbledhje të punës së bërë te “Kokëkuqja” italiane që nga momenti që ai mori këtë post e deri tani.
“Me ardhjen në postin e presidentit të Ferrarit m’u desh të bëja disa spastrime. Nuk ishim as kompetitivë e as të prezantueshëm. Ferrari aktual është krejtësisht ndryshe nga ai i vitit 2014. Momenti më i vështirë ishte muaji i parë kur u desh të kuptoja se cili ishte vendi ynë real në panoramën e Botërorit të Formulës 1. Lëvizja e parë që u bë ishte rifokusimi i skuadrës në gjërat që kishin vërtet rëndësi dhe në këtë pikë ka ndihmuar shumë ardhja e Maurizio Arrivabenes. Ky i fundit ka aftësinë që të motivojë bashkëpunëtorët e tij dhe të bëjë që ata të punojnë shumë si një grup i vetëm”, tha Markione në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”.
Sipas Marchionnes, problemi i Ferrarit në kohën e Montezemolos qëndroi në mënyrën sesi u kuptua rregulli i FIA-s për përdorimin e motorëve hibridë, duke bërë një krahasim me Mercedesin: “Kur dolën rregullat e reja për motorin hibrid, Mercedesi i kuptoi menjëherë. Kurse ne i interpretuam jo mirë. Nga ajo çfarë kam kuptuar unë, nuk ishte motori ai që duhej me çdo kusht për të fituar, por njësia e fuqisë së tij dhe e jona nuk ishte në lartësinë e duhur, ndërkohë që edhe telajo e makinës kishte difektet e saj”.
Top Channel