
Biznesmeni Sait Fishta, i arrestuar për ndërtime të paligjshme në plazhin e Velipojës, është liruar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, kundrejt garancisë pasurore prej 50 mijë eurosh dhe një mase vlerësimi ndalimi me “detyrim paraqitjeje”.
Seanca gjyqësore është bërë me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur 5 orë. Avokati mbrojtës i Sait Fishtës, në një komunikim me mediat është shprehur se, ndalimi është i paligjshëm dhe ky vendim do të apelohet, pasi Sait Fishta disponon të gjithë dokumentacionin e rregullt në ndërtimet që është duke bërë.
Sait Fishta u arrestua më 7 shkurt, pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Shkodrës për ndërtimin në mënyrë të paligjshme të 9 pallateve në zonën e plazhit të Velipojës. Të paditur janë edhe ish-drejtuesit e Komunës Velipojë, si dhe anëtarët e këshillit që votuan lejet.
Fishta, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2013 ishte në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste.
Top Channel