Byroja e Hetimit, LSI shpreh mbështetjen për pr/ligjin

10/02/2016 13:30

Vetëm pak minuta pas vendimarrjes së qeverisë për miratimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, LSI njoftoi një konferencë urgjente të kreut të grupit parlamentar Petrit Vasili.

Numri dy i partisë së Metës u kujdes disa herë të theksonte mbështetjen e plotë të forcës së tij politike për miratimin e Byrosë së Hetimit, por pa iu përgjigjur pyetjes për kundërshti të mundshme të ministrit të LSI, Ylli Manjani, që kjo strukture të varet nga policia e shtetit.

“Përgjigja ime është kjo: me të gjithë dashamirësinë dhe të gjithë durimin e duhur, mbështesim draftin e qeverisë që merr vendime kolegjiale dhe gjithashtu mbështesim edhe ecjen në rrugën e miratimit politik të strukturës dhe të vënies në funksionim të saj.”, tha Vasili.

Kreu i grupit të LSI tha se drafti i miratuar në qeveri ishte i dakortësuar me OPDAT, çka sipas tij do të gjejë edhe miratimin e opozitës.

Por zoti Vasili nuk iu përgjigj pyetjes sesi do të gjendet konsensusi i opozitës, kur kjo e fundit është pro variantit që Byroja të jetë pjesë e prokurorisë.

“Ne e mbështesim plotësisht draftin, që sapo u miratua pak çaste më parë dhe mbështesim gjithashtu që ky konsensualitet, meqenëse të dy forcat politike PS-PD që kanë debatuar fort për këtë çështje, kanë pasur një shqetësim për këtë gjë, është shumë mirë që e kemi tashmë këtë draft-ligj të miratuar nga qeveria, të mbështetur edhe në përgatitjen e tij nga OPDAT-i. Tani çështja kryesore është të ecim sa më parë në zbatimin dhe në vënien e këtij ligji në funksionim”, tha Vasili.

Top Channel