
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, i pyetur mbi fatin e dosjes për vrasjen e katër protestuesve më 21 janar të viti 2011, u shpreh se çështja shumë shpejt pritet të trajtohet nga kolegji penal, pas gati dy vite e gjysmë nga momenti që Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi rekursin në Gjykatën e Lartë.
Sipas Zaganjorit, kolegji i caktuar për këtë çështje ka përfunduar studimin e dosjes dhe ka përgatitur relacionin përkatës, por ende nuk dihet nëse çështja do të gjykohet apo do të lihet në fuqi vendimi i Apelit për të pandehurit.
“Çështja do të trajtohet në Dhomën e Këshillimit, ku merren dy vendime: ose vendimi i Apelit është në rregull dhe çështja nuk kalon në seancë; ose nëse nuk është në rregull kalon në seancë”, sqaroi Zaganjori.
Këtë deklaratë kreu i Gjykatës së Lartë e bëri gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, ku bëri publike edhe të dhënat statistikore të punës së institucionit të drejtuar prej tij gjatë vitit 2015.
Top Channel