
Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, turin e vëzhgimeve në terren mbi mënyrën sesi po implementohet “Check up”-i falas e vijuan në Durrës.
Rama vëren se, masat e ndërmarra në vijimësi në sektorin e shëndetësisë po shënojnë progres. Sipas kreut të qeverisë synohet arritja e atij, që ai e quan objektiv madhor, mbulimit universal në sistemin shëndetësor.
“Me progresin që kemi bërë, nuk kemi vetëm kontrollin bazë falas, por kemi dhe mjekun e familjes falas. Po të krahasojmë sot tarifat në spital, për ata që janë të siguruar dhe ata që janë të pasiguruar, diferenca është shumë e vogël. Pra, po shkojmë drejt projektit tonë. Analizat janë absolutisht të standardeve europiane”, tha kryeministri Rama.
Sipas statistikave që iu thanë Ramës nga punonjësit e Qendrës Shëndetësore Nr. 7, në Shkozet të Durrësit, 1000 qytetarë e kanë kryer “Check up”-in falas, nga ku shumë prej të cilëve kanë zbuluar se vuanin nga sëmundje për të cilat nuk ishin në dijeni.
“Ndryshimet dallohen që nga porta, kur hyn brenda dhe nuk paguan. Si person i pasiguruar që jam, nuk mund t’i përballoj dot tarifat. Tani është çdo gjë falas. Edhe ‘Check up’-i është falas. Ju jemi mirënjohës”, u shpreh një qytetar.
Top Channel