Në Kuvend po diskutohet reforma në transportin rrugor ndërqytetas të udhëtarëve. Në një intervistë për Top Channel, ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto sqaron se do të ketë një organizmin të subjekteve në shoqeri transporti për çdo bashki të autobusëve, zvogëlim të numrit të linjave dhe brenda 5 viteve do të bëhet rinovimi i krejt flotës së mjeteve.
Ligji sanksionon se furgonët apo mjetet 8 plus 1 do të bëjnë transport vetëm brenda për brenda bashkive.
“Kategoria e këtyre mjeteve, që ju i quani furgonë, mund të futet në transportin rreth qytetas, që në fund të fundit do të jetë një shërbim i nevojshëm për qytetarët dhe do të ushqejë linjat e tjera kryesore”, deklaron Haxhinasto.
Ministri shton se ligji i jep zgjidhje evazionit me biletat duke futur sistemin e biletave elektronike, fillimisht në tre linja kryesore.
“Qytetarët do të paguajnë për kilometrat për linjat që do të ketë vendi dhe për këtë do ta fillojmë me një projekt pilot që do të ketë tri linjat kryesore, Tiranë-Durrës, Tiranë-Elbasan dhe Tiranë-Shkodër për të parë si funksionin duke vendosur pajisjet elektronike nëpër mjete dhe në terminalet e autobusëve”, sqaron ministri i Transporteve.
Për çdo qytet do të ketë terminale të posaçme për autobusët. Ligji do të hyjë në fuqi në janar të 2017 për t’u dhënë mundësi subjekteve të organizohen në shoqëri.
Top Channel