Itali, arrestohet banda “brutale” shqiptare; u shkulte dhëmbët viktimave

09/02/2016 12:05

Karabinierët në Itali kanë arrestuar këtë të martë 3 anëtarët e fundit të një bande të dhunshme shqiptare, që kryente grabitje në vila duke përdorur taktika brutale ndaj viktimave, të cilëve në disa raste u shkulnin edhe dhëmbët për t’i detyruar që të dorëzonin të ardhurat ose sendet me vlerë.

Sipas raportimeve të mediave italiane, banda e kishte bazën e saj operative në lokalitetin Kaivano, në provincën e Napolit, ndërsa grabitjet i kryente në këtë qytet dhe zonat përreth, si Bazilikata dhe Salernitano.

Ndërkohë, 5 anëtarë të tjerë të bandës ishin arrestuar nga karabinierët në dhjetor. Grupi i keqbërësve i realizonte vjedhjet në orët e natës.

Të veshur me tuta të zeza dhe maska, ata hapnin me forcë dritaret dhe pasi hynin në banesa torturonin banorët dhe kërcënonin pa mëshirë këdo, përfshirë një fëmijë 8 vjeç në njërin rast.

Ndërsa në një rast tjetër njëri prej tyre kishte tentuar të qëllonte një prej viktimave, por për fat të mirë pistoleta i ishte bllokuar.

Të parët që kishin rënë në gjurmët e bandës ishin karabinierët e Kazertës, pasi shqiptarët nuk ishin ndalur në një postobllok, duke shkaktuar një ndjekje të shpejtësisë së lartë. “Gara” mbaroi me banditët që braktisën makinën dhe u arratisën nëpër fshatra, të favorizuar nga errësira.

Anëtari më i rrezikshëm dhe më i dhunshëm i kësaj bande ishte shtetasi Enver Jakimi, të cilit hetuesit arritën t’i ndërtonin identikitin pavarësisht maskës, për shkak të hundës së madhe dhe vetullave të trasha. Jakimi kërkohej nga Interpol për krime të ngjashme të kryera në Shqipëri, ku akuzohet edhe për një vrasje.

5 anëtarët e tjerë të bandës, të cilët u arrestuan në dhjetor në një kasolle në fshatin Kardito të Napolit, bënë një rezistencë të fortë ndaj ushtarakëve, por në fund u bllokua.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA