Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati thotë se Shqipëria ka marrë mbështetjen e duhur nga vendet e Bashkimit Europian për integrimin. Në prag të vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry në Tiranë, Bushati thotë se, edhe me mbështetjen amerikane do të arrihen të gjitha afatet.
Ndërsa brenda fundit të marsit, nënvizon ai, do merren në shqyrtim reformat që ka ndërmarrë Shqipëria për të shkuar më tej te marrja e një rekomandimi që do çonte Shqipërinë në hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
TCH: Zoti ministër, çfarë mesazhesh pati për Shqipërinë në këtë interministerial?
Ditmir Bushati: Gjithë diskutimi u fokusua tek mundësia për të zbatuar disa angazhime të vendeve anëtare dhe të atyre kandidate. Sa për Shqipërinë, ne shprehëm angazhimin tonë për të vijuar me detyrimet që kemi marrë përsipër, që nga takimi i tetorit në nivel kryeministrash të rajonit, plus disa prej vendeve anëtare të BE, por edhe të ministrave të Jashtëm për të bërë punë në këtë drejtim. Por nga ana tjetër janë dhe sfidat si siguria, steriotipet negative që po shfaqen në Evropë dhe që po fuqizojnë ekstremin e djathtë, duke i vendosur BE-në dhe vendet kandidate në një situatë të vështirë. Ne besojmë se ky është një proces i rëndësishëm sa ç’është edhe procesi i avancimit të axhendës evropiane të vendeve tona dhe sfidat aktuale nuk duhet të lënë në hije procesin e integrimit të Ballkanit, që ka të bëjë me axhendën e shtetndërtimit demokratik. Afatet janë të kapshme, ne po punojmë për të siguruar një rekomandim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ka një dashamirësi nga KE, nga vendet anëtare dhe SHBA, që luajnë një rol të rëndësishëm për mbështetjen që i japin procesit të integrimit dhe fundi i marsit që përkon me dialogun e nivelit të lartë Shqipëri-BE, do të shërbejë jo për të rishikuar progresin që ka bërë shqipëria me 5 prioritetet, por edhe për të përcaktuar një kalendar veprimesh për arritjen e objektivit që është sigurimi i rekomandimit për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.
Intervistoi: Arta Tozaj
Top Channel