Një dekadë vrasje; historia e konfliktit që nisi për një grindje mes dy shokësh

04/02/2016 15:10

Masakra e 3 shkurtit në Elbasan e ka zanafillën një dekadë më parë, kur mes anëtarëve të dy familjeve nisi një seri ngjarjesh me plagosje dhe vrasje të pamëshirshme. Zanafilla është viti 2005.

Dhjetor 2005. Sherri në një klub nate në Elbasan mes dy miqve, Sokol Çapja dhe Dritan Sheme u ndërmjetësua të shuhej nga ish-shefi i policisë rrugore Fadil Mema dhe dy familjet u takuan. Por në dhjetor 2005 Sokol Çapja ekzekutohet brenda një lokali në Elbasan nga një person i maskuar. Policia identifikoi si autor shtetasin Dritan Sheme. Familja Çapja akuzoi atëherë ish-policin Fadil Mema se i kishte prerë në besë.

Janar 2006. Ish-shefi i qarkullimit rrugor Fadil Mema plagoset në këmbë me armë nga shtetasi Florenc Çapja, i sapokthyer nga emigracioni. Florenci është nipi i Sokol Çapjas.

2006. Në lagjen “11 Nëntori”, në një fast food u ekzekutua me armë zjarri Ardian Ibrahimi, 34 vjeç, burri i motrës së Fadil Memës. Edhe pse ky person nuk kishte lidhje me ngjarjet e ndodhura, një person e qëlloi atë brenda në lokal. Policia arrestoi edhe autorin e vrasjes, Saimir Bako, i cili dyshohej se ishte vrasës me pagesë. Bako u dënua me 20 vite burg dhe aktualisht po kryen dënimin.

2006. Në një lokal në Tiranë, Dritan Sheme, 32 vjeç, autori i dyshuar i vrasjes së Sokol Çapjas, qëllohet dhe vritet. Ai qëndronte i fshehur në Tiranë prej tre muajsh. Vrasësit e gjetën pranë banesës dhe e qëlluan me breshëri kallashnikovi. Autorët nuk u zbuluan asnjëherë.

Gusht 2012. Gentian Beqiri, ose Ardian Meta, ekzekutohet në banesën e tij. Ai ishte paralizuar pas një rrëzimi nga lartësia në përpjekje për t’i ikur policisë në Sarandë dhe mbahej në arrest shtëpie si i dyshuar për vrasjen e Sokol Çapjas në 2005. Atentatorët i hynë në banesë në momentin kur policët që e ruanin ndërronin turnin dhe e vranë në gjumë, ndërsa i dhunuan edhe të atin, i cili vdiq më pas në spital. Policia nisi hetimet dhe akuzoi për këtë vrasje Florenc Çapajn, por ky i fundit kishte alibi pamjet e tij në Doganën e Qafë Thanës në momentin e vrasjes.

Mars 2015. Ish-polici Fadil Mema jetonte si emigrant në Torino, duke shitur gazeta. Më 13 mars të vitit që kaloi, kur kthehej në shtëpi u qëllua 14 herë me armë zjarri. 7 plumba e goditën në trup duke i marrë menjëherë jetën. Media italiane komentoi se vrasja ishte larje hesapesh mes mafias shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA