Gjashtë të plagosur nga ngjarja e rëndë e mbrëmjes së djeshme në qytetin e Elbasanit u dërguan me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Aktualisht, 5 prej tyre po trajtohen ende në Qendrën Universitare të Traumave, ndërsa njëri prej tyre është larguar gjatë mëngjesit të së enjtes me dëshirën e tij.
Tre prej tyre, edhe pse tregojnë parametra normalë për shëndetin, për momentin ndodhen në reanimacion për shkak të plagëve të rënda që kanë marrë, ndërsa 2 të tjerë po trajtohen në pavion. Gjatë orëve të natës, një nga pacientët i është nënshtruar edhe operacionit kirurgjik.
“Njëri është në gjendje tepër të rëndë, është plagosur tek veshka e djathtë dhe ka plagë të tjera shoqëruese. Rasti tjetër është ai i Ferit Muçës, i cili ka dëmtim të femorit të majtë, ka një plagë të madhe në pjesën e pasme të gutaleve dhe një të vogël në kokë. Rasti tjetër është Bujar Reshka, i cili është i intubuar. Gjendja e tij është e stabilizuar. Të gjithë pacientët parashikohet t’i trajtojmë në spitalin tonë”, deklaroi mjeku Dritan Çela.
Top Channel