“Jam mes vëllezërve”/ Hita vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës: Bashkëpunim i vazhdueshëm për sigurinë e qytetarëve tanë Në kushte tepër të vështira, kur edhe temperaturat që mbizotërojnë në zonë janë të ulëta, mbi 5.000 refugjatë, midis të cilëve qindra fëmijë të vegjël, janë mbledhur në kufirin greko-maqedonas pranë fshatit Eidomeni, në veri të Greqisë, pasi autoritetet e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, përveç se hapin dhe mbyllin vazhdimisht kufirin, lejojnë të kalojë vetëm një numër i vogël emigrantësh, të cilët deklarojnë në dokumentet e tyre si destinacion Gjermaninë ose Austrinë.
“Po, ka disa tenda, por mendoj se ato janë për gratë dhe fëmijët. Kështu që nuk është e mundur që të strehohen të gjithë këta njerëz në tenda, ndërkohë që nuk ka objekte të tjera këtu pranë. Ndaj ne e kaluam natën në terren. Fjetëm në tokë edhe pse është kaq ftohtë”, tha Sardar, një emigrant nga Iraku.
Një grevë dyditore e marinarëve grekë ka bërë që mijëra refugjatë, që ndodheshin në ishuj, të vijnë brenda 24 orëve me më shume se 100 autobusë, pas mbërritjes së tyre në Portin e Pireut drejt korridorit ballkanik. Por, edhe aty një grevë e taksistëve maqedonas, që kanë bllokuar shinat e trenit, pengon lëvizjen e tyre drejt vendeve të Europës Qendrore.
“Ne do të qëndrojmë këtu deri në fund, deri sa dikush nga autoritetet të vijë këtu dhe të arrijmë një marrëveshje, e cila do të na lejojë të bëjmë transportimin e refugjatëve prej këtu në Tabanoc të Serbisë”, tha Goran, një shofer taksie.
Greva e përgjithshme 24 orëshe e së enjtes në Greqi dhe mbyllja për disa orë e rrugëve nacionale të vendit, nga fermerët që vazhdojnë protestën e tyre, vlerësohen se do ta pengojnë transportimin e emigrantëve nga Pireu dhe do të përkeqësojnë situatën në kufirin greko-maqedonas.
Qeveria greke ka njoftuar se, shumë shpejt në Sindos, në periferi të Selanikut do të funksionojë një nga dy kampet e mëdha, që do të japë ushtria për strehimin e mijëra refugjatëve.
Top Channel