Pasditen e së premtes në orën 17:40 me orën lolale të Turqisë, në kufirin mes Turqisë e Greqisë është ndaluar një autobus, pronë e një kompanie udhëtimesh nga Shqipëria që po transportonte 35 pasagjerë për në Stamboll.
Autoritetet turke e kanë ndalur mjetin sapo ka kaluar kurifin turk dhe gjatë kontrolleve me skanim kanë zbuluar lëndë narkotike. Sasia nuk konfirmohet ende zyrtarisht, por në disa burime thuhet se ajo është nga 35 kilogramë deri në 100 kilogramë hashash e vendosur në një nga çantat e bagazheve të kompanisë.
Sipas informacionit zyrtar nga Ministria e Punëve të Jashtme, konsullata shqiptare ka ndjekur ngjarjen dhe konfirmohet arrestimi i shoferit të kompanisë turistike, ndihmësit të tij si dhe dy guida, një prej të cilëve mendohet të jetë përgjegjës.
Ndërkohë, grupi i anëtareve të organizatës politike FRESSH, mes të cilëve ndodhej edhe zëvendëskryetari i FRESSH, Artur Micka, është lejuar të vijojë udhëtimin me një tjetër autobus.
Ata ndodhen tani në Stamboll duke vijuar udhëtimin dhe kthehen më 31 janar. Ata kanë postuar në faqet e tyre në Facebook, fotot e udhëtimit që po bëjnë tani në Stamboll.
Udhëtimi i organizuar nga një kompani turistike në Tiranë, përfshinte një paketë 3-ditore kundrejt 155 eurove për person nga data 28 janar deri më 31 janar, me një natë fjetje në Selanik dhe dy në Stamboll.
Publikimi i lajmit të kapjes së lëndës narkotike në autobusin ku po udhëtonin anëtarët e FRESSH, ka shkaktuar një seri akuzash politike në Tiranë. Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi, në një deklaratë shkruan se Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, njëkohësisht zv.Kryetari FRESSH, gjen mënyra të rejat të punësimit të të rinjve socialiste.
“Trafikantë droge profesioni më i pëlqyer i drejtuesve socialistë. Mesa duket dekriminalizimi duhet shtrirë edhe më gjerë”, shkruan ai.
Në rrjetet sociale ka reaguar edhe kryeministri Rama.
“Kur mendon se horrllëku i baltës s’ka ku shkon më tutje, ka prapë edhe më tutje! Sulmi i baltës sot ndaj FRESSH-it shëmbulli më i freskët”, shkruan kreu i Qeverisë në Tëitter.
Pak minuta pas këtij postimi ka ardhur reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Nuk ka horrllëk më të madh sesa të mbulosh vendin me drogë e të qeverisësh me trafikantë. Ti dhe droga e trafiku i saj jeni në simbiozë perfekte, ndaj refuzove testin e saj”, shkruan Basha në Facebook. Ai e mbyll postin e tij me fjalët se “dita e gjykimit po afron”.
Top Channel