Një nga autorët e dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut, shtetasi Denis Shtraza u arrestua nga policia.
Pas nje hetimi intensiv forcat policore bënë të mundur identifikimin dhe ndalimin e 33-vjeçarit, Denis Shtraza nga Durrësi, si një nga të dyshuarit e rrëmbimit dhe më pas të vrasjes së Gazmend Çollakut.
Shtraza u kap teksa po largohej nga Shqiperia duke përdorur Aeroportin e Rinasit. Policia u ishte ofruar provave materiale, se Shtraza ishte njeriu që kreu ekzekutimin, ndaj u detyrua të bëjë një arrestim pak pasi ai tentoi të largohej nga vendi.
Shtraza i njohur si person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës, ai dyshohet të jetë dhe anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.
Në vitin 2009, Shtraza qe ekstraduar nga Gjermania si autor i dyshuar i dy plagosjeve të rënda, nga gjykimi i të cilave u shpall fajtor, por doli me dënime të lehta që konsistonin në gjobë dhe 4 muaj burg.
40-vjeçari Gazmend Çollaku, u mor peng më 6 janar qytetin e Durrësit dhe një ditë më pas është gjetur i vdekur dhe i lidhur me këmbë e duar në afërsi të fshatit Murqin të Krujës.
Viktima ishte qëlluar me armë në kokë dhe fillimisht mendohet se ekzekutimi i tij ka lidhje me vrasjen e dy të rinjve, Ervin Kodra dhe Endri Caushaj, ngjarje e ndodhur në muajin dhjetor pranë hyrjes së Portit të Durrësit.
Çollaku u mor peng nga persona të veshur me uniforma policie dhe dëshmitarët në vendngjarje menduan se bëhej fjalë për një shoqërim të tij.
Çollaku rezulton një person me precedentë penalë. Në 2 mars të 2008-ës, pas një sherri banal mes të rinjsh në disko “Riviera” në lagjen numër 1 të Durrësit, Gazment Çollaku plagosi rënë me armë zjarri shtetasin Kreshnik Balla. Ai u kap pas disa muajsh arratie në një apartament në plazhin e Golemit.
Për këtë vepër penale si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve, Gjykata e Durrësit e dënoi në shkurt të vitit 2009 me 2 vite e 4 muaj burgim. Vetëm një vit më pas, në mars të 2010, Çollaku në gjendje lirie arrestohet dhe dënohet me 4 muaj burg për armëmbajtje pa leje.
Në rastin e plagosjes, prokuroria e akuzoi edhe për falsifikim dokumentash pasi në banesë iu gjetën karta identiteti dhe patenta italiane false, por gjykata nuk i vlerësoi si provë për ta dënuar për shkak se nuk provohej përdorimi i tyre.
Policia po punon për zbardhjen e krimit të rëndë dhe po kryen hetime mbi të shkuarën kriminale të Çollakut. Pista kryesore e krimit mbetet ajo e larjes së hesapeve, ndërkohë që materialet në ngarkim të 33-vjeçarit Shtraza i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë.
Top Channel