Spiro Ksera, ish-ministrë i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, është arrestuar mbrëmjen e së premtes nga Policia e Gjirokastrës, pas një urdhër arrest të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës në ngarkim të tij.
Ai është arrestuar në banesën e tij në fshatin Derviçan të Gjirokastrës. Burime zyrtare nga organi i akuzës bëjnë të ditur se Ksera akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.
Ai dyshohet se ka abuzuar me rreth 30 milionë lekë nga aktivitete për romet dhe të moshuarit, të cilat edhe pse janë faturuar sikur janë kryer, nga hetimet rezulton e kundërta.
Ndërkaq, në pranga ka rënë edhe një person tjetër, Artemis Mene, gjithashtu ish-punonjës në ministrinë e Kserës. Ndërsa, bëhet e ditur, urdhër arreste janë lëshuar edhe për disa persona të tjerë të cilët janë në kërkim nga policia.
Hetimet, por edhe kallëzimet në ngarkim të Spiro Kserës dhe vartësve të tij kanë qenë objekt i shumë denoncimeve të bëra në vitet e fundit, si nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ashtu edhe nga pasardhësi i tij në postin e minstrit, Erion Veliaj.
Vlen të përmendet se në korrik 2015, pas dy vitesh në arrati është arrestuar Keleves Bitro, ish-shefi i kabinetit të Kserës. Ai ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burg në mungesë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh.
Në tetor të vitit 2013, Bitro u kallëzua edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Sipas kësaj të fundit, ai kishte pajisur me dokumente false tre shtetas, të cilët u dërguan në SHBA si “të punësuar” të Ministrisë së Punës.
Më herët, sipas prokurorisë, Bitro ishte dënuar me 2 vjet burg për mashtrim dhe 2 vjet e 4 muaj për falsifikim dokumentesh. Të dyja vendimet janë marrë në vitin 2014 dhe proceset janë zhvilluar me gjykim të shkurtuar.
Top Channel