Një 35-vjeçar është shpallur në kërkim me urdhër të prokurorisë pasi ka tentuar që të korruptojë një gjyqtare në Tiranë.
I kërkuari Ervin Braho sipas policisë ka tentuar t’i japë 500 mijë lekë gjyqtares së shkallës së parë administrative Selvie Gjonçaj, e cila kishte prej dy vitesh nën gjykim një çështje për të. Ka qënë gjyqtarja Gjonçaj ajo që ka njoftuar prokurorinë, e cila ka sekuestruar lekët e lëna në zarf nga i kërkuari, si edhe kamerat e sigurisë ku shfaqet 35-vjeçari duke hyrë e duke dalë nga gjykata.
Braho, i cili rezulton të jetë biznesmen në fushën e hekurit dhe bashkëortak në ndërtimin e një hidrocentrali mbi lumin Mat ka paditur ministrine e Ekonomisë për dëmshpërblim, çështje e cila është nën shqyrtim nga Gjonçaj.
Në proces Braho ka pretenduar se ministria ka prishur kontratën në mënyrë të njëanshme. Shuma prej 500 mijë lekë janë lënë nga biznesmeni në zyrën e gjyqtares Gjonçaj, që ajo të shpallte vendimin në favor të tij.
Top Channel