Ekzekutivi i BE-së e akuzon Greqinë se ka neglizhuar seriozisht detyrimet kufitare të zonës së lëvizjes së lirë të “Schengen”-it dhe se mund të bëhet subjekt verifikimi të kufijve nga anëtarë të tjerë të bllokut, nëse dështon t’i zgjidhë problemet brenda harkut kohor të 3 muajve.
Draft raporti i Komisionit Europian del në përfundimin se, Athina i ka shpërfillur detyrimet e saj dhe se, në ndërmarrjen e kontrolleve kufitare ka mangësi serioze, të cilat autoritetet greke duhet t’i kapërcejnë.
Komisionerët europianë dolën në këtë konkluzion gjatë takimit të tyre të përjvashëm, mbajtur paraditen e kësaj të mërkure. Raporti, i miratuar pas diskutimesh të gjata, përbën një hap kyç përpara, drejt shtrirjes së kontrolleve në kufijtë e disa prej vendeve anëtare të “Schengen”-it për një periudhë gati dyvjeçare.
Ai shënon praktikisht hapin e parë të 4 etapave të procesit të përgatitjes për aktivizimin e nenit 26 të kodit “Schengen”.
Dokumenti, sipas zv.presidentit të Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, rreshton dështimet e autoriteteve helene në regjistrimin, marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe verifikimin e identitetit të emigrantëve.
Më shumë se 850 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur në Greqi vitin e kaluar, e 44 mijë të tjerë kanë zbarkuar në ishujt grekë që nga fillimi i 2016-s. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve kanë prekur tokën në ishujt e Lesbosit, Samosit dhe Kiosit, pas nisjes nga Turqia.
Top Channel