Tjetër tërmet në futbollin italian, Seria A dhe B hetohen për evazion

26/01/2016 12:00

Skandalet në futbollin italian nuk kanë fund. Kur ende nuk janë mbyllur plagët e shkaktuara nga “Calciopoli” i famshëm, sporti më popullor në vendin përtej Adriatikut është përfshirë në një tjetër vorbull hetimore.

Guardia di Finanza ka marrë këtë të martë nga Prokuroria e Napolit mandatin për të hapur dosjen e radhës hetimore ndaj plot 64 emrave, mes të cilëve drejtues klubesh të Serisë A dhe B, trajnerë, lojtarë dhe prokuratorë.

Siç raportojnë mediat sportive italiane mes emrave të përfshirë në hetim janë Adriano Galliani, administrator i deleguar i Milanit, Claudio Lotito, president i Lacios, Jean Claude Blanc, ish-drejtues i Juventusit dhe Alessandro Moggi, prokurator, djali i Luciano Moggi-t.

Në listën e emrave të përfshirë janë plot 17 futbollistë, mes të cilëve nuk mungojnë emra të njohur që e kanë lënë futbollin e luajtur, por edhe të futbollit aktual. Mes tyre janë Hernan Crespo, Ezequel Lavezzi, Diego Milito, Ciro Imobile, Marek Jankulovski dhe Antonio Nocerion.

Që të gjithë këta persona dyshohen nga autoritetet italiane për shmangie të detyrimeve tatimore. Sipas hetuesve italianë, ekzistonte një sistem i mirëfilltë i evazionit fiskal ku janë të përfshira të paktën 35 klube mes Serisë A dhe B, të cilat u janë shmangur detyrimeve tatimore ndër vite kryesisht në shit-blerjen e lojtarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA