Kombëtarja shqiptare e futbollit për femra ka pësuar humbjen e katërt në po kaq ndeshje të fushatës së saj eliminatore për kampionatin europian.
Skuadra jonë u mposht me rezultatin 3-2 nga ajo greke. Të gjithë golat u shënuan në pjesën e parë të takimit, që nisi vrullshëm prej vendasve. Goli i parë u shënua që në minutën e 6 nga Sidira, që shndërroi në gol një goditje nga pika e bardhë e penalltive.
Katër minuta më vonë, greket gjejnë golin e dytë me Kongouli, ndërsa në minutën e 15-të trefishoi Panteliadou.
Tre gola në 10 minuta tronditën vajzat shqiptare, të cilat gradualisht nisën të fitojnë terren në fushën e lojës duke gjetur golin e parë në minutën e 26-të me anë të Velajt. Katër minuta nga përfundimi i pjesës së parë, Hashani shënon golin e dytë.
Me kaq u mbyll pjesa e parë, që do të përcaktonte edhe rezultatin e gjithë 90-minutëshit, pasi në pjesën e dytë asnjëra prej skuadrave nuk gjeti rrugën e rrjetës.
Kombëtarja shqiptare e femrave ndodhet në Grupin 3 të fazës së dytë të eliminatoreve për kampionatin europian. Ky grup kryesohet nga Franca me 12 pikë, ndjekur nga Rumania me 7, Greqia me 6, Ukraina me 1 dhe mbyll tabelën Shqipëria me 0 pikë dhe një golavarazh, negativ me tre gola të shënuar dhe 16 të pësuar.
Top Channel