Një rrjet kriminal i përbërë nga 17 shqiptarë që shfrytëzonin vajza nga Shqipëria dhe Europa Lindore në Milano u shkatërrua pas një operacioni të koduar “Tempesta 2015”, që përfshiu policinë shqiptare, italiane, belge, dhe sllovake.
“Nga hetimet e përbashkëta të shtrira në 4 shtete, ka rezultuar se një grup kriminal i përbërë nga shtetas shqiptarë, gjatë periudhës shtator 2014 – qershor 2015, është përfshirë në aktivitetin kriminal të shtytjes, favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit si dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Autoritetet gjyqësore të Milanos kanë lëshuar 18 masa sigurimi arrest në burg dhe një detyrim paraqitje në ngarkim të personave të dyshuar. Grupi kriminal shfrytëzonte për prostitucion vajza nga Europa Lindore në zonën e Milanos në Itali”, njoftoi nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa.
Gjatë hetimeve rezulton se, në Shqipëri dhe në Sllovaki, shqiptarët blenin vajza lindore për t’i shfrytëzuar për prostitucion.
Në rrjetin e prostitutave kishte edhe një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, por edhe të huaja. Për më shumë se një vit, rrjeti kishte arritur të blinte në tregun e trafikantëve të prostitucionit në Lindje të Europës, një numër të konsiderueshëm vajzash duke u kthyer në një ndër rrjetet më të mëdha në Milano. Pesë persona u arrestuan në Shqipëri, 11 në Itali dhe një në Sllovaki.
Top Channel