Adidas ndërpret bashkëpunimin 11-vjeçar me Federatën Ndëkombëtare të Atletikës (IAAF). Sipas asaj që publikohet në rrjetin televiziv britanik BBC, kompania e njohur gjermane e veshjeve sportive vendosi të zgjidhë kontratën me këtë institucion 4 vjet përpara skadencës së saj. Ky vendim i Adidas-it, që është sponsori kryesor i IAAF-së, erdhi pas skandalit të dopingut dhe korrupsionit ku është përfshirë kjo federatë.
Sipas burimeve të BBC, kontrata mes Adidas-it dhe IAAF-së ishte e lidhur që nga nëntori i vitit 2008 dhe institucioni më i lartë i atletikës në botë përfitonte prej saj 8 milionë dollarë në vit. Por IAAF-ja ka kontrata sponsorizimi edhe me kompani të tjera si Canon, Toyota, Seiko, TDK, TBS dhe Mondo.
Gjatë vitit 2015, Komisioni i Pavarur i WADA-s, i kryesuar nga Dick Pound, publikoi një raport ku zbuloheshin shumë raste dopingu të sportistëve rusë, të cilët ishin mbrojtur edhe nga shteti i atij vendi. Javën e kaluar, po ky komision publikoi edhe pjesën e dytë të këtij raporti, ku theksohej se korrupsioni kishte arritur deri në rangjet më të larta të IAAF-së.
Ish-presidenti i kësaj federate, Lamin Diak dhe djali i tij tashmë janë nën hetim nga drejtësia franceze për korrupsion, akuza të cilat që të dy ata i mohojnë.
Top Channel