Kriza politike në të cilën është zhytur Kosova prej disa muajsh ka alarmuar Fondin Monetar Nërkombëtar, sipas vlerësimeve të të cilit, vendi po shkon drejt rrezikut të ngecjes në zhvillim ekonomik.
Përfaqësuesi rezident i Fondit në Kosovë, Ruud Vermeulen deklaroi në një konferencë për shtyp se vazhdimi i krizës politike do të ndikojë në frikësimin e investitorëve të huaj.
“Ne vlerësojme se kriza politike paraqet një rrezik thelbësor, i cili mund të minojë besimin e investitorëve, siç ndodhi edhe në 2014 me ngërçin politik. Gjithashtu ka shqetësime se Kuvendi i Kosovës mund të mos jetë funksional dhe ta ketë të pamundur miratimin e ligjeve të reja, çka përbën një shqetësim që duhet pasur parasysh. Parashikimi ynë për rritjen ekonomike këtë vit është 3.8 për qind, por nëse kjo situatë krize do të vazhdojë, ne do duhet të bëjmë një ndryshim në lidhje me te”, deklaroi Vermeulen.
Fondi Monetar vlerëson se me të ardhurat aktuale në buxhetin e Kosovës, qeveria nuk mund të parashikojë asnjë rritje të pagave, së paku deri në vitin 2018.
Sipas përfaqësuesit të këtij institucioni, Kosova gjatë vitit 2015 ka arritur të stabilizojë bilancin mes arkëtimeve dhe shpenzimeve, duke ulur defiçitin buxhetor nën 2 për qind.
Top Channel